Forcimi i lidhjeve ekonomike midis Shqipërisë dhe Spanjës kontribuon në stabilitetin rajonal të BE-së, Ballkanit Perëndimor si dhe rajonit të Mesdheut, nga lindja në perëndim.
Në vizitën e tij zyrtare në Spanjë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u fokusua në rëndësinë e diplomacisë ekonomike në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
“Shqipëria është e angazhuar për një mjedis miqësor ndaj biznesit, duke reduktuar burokracitë dhe duke promovuar sipërmarrjen. Trashëgimia e pasur kulturore e Shqipërisë dhe vendndodhja e saj strategjike na lidh me Mesdheun, duke përforcuar angazhimin tonë për të nxitur stabilitetin dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta. Nga turizmi, tek industria, energjia dhe tregjet e eksportit, Shqipëria ofron mundësi premtuese për rritje dhe bashkëpunim”, tha Hasani.
Në fjalën e tij në Akademinë Diplomatike të Spanjës, kryediplomati shqiptar Hasani nënvizoi se Mesdheu është një nga tri shtyllat orientuese të politikës së jashtme shqiptare.
Instituti Mbretëror Elcano, ishte një tjetër ndalesë e ministrit Hasani në ditën e parë të qëndrimit në Spanjë, ku theksoi domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Për vitin 2023 Spanja renditet në vendin e 9-të të partnerëve më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë. Tregu spanjoll është i pesti më i madhi në vlerë për eksportet shqiptare dhe furnizuesi i 13-të për Shqipërinë. /EuronewsAl