Mijëra ushtarë nga Divizioni i 82-të Ajror, një njësi elitare e Ushtrisë Amerikane, kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, bëjnë të ditur dy zyrtarë amerikanë. Ky zhvillim vjen në një kohë kur presidenti i ShBA-së, Donald Trump po shqyrton hapat e ardhshëm në përballjen me Iranin.
Që prej 18 marsit, administrata Trump ka analizuar mundësinë e dërgimit të mijëra trupave shtesë në rajon, një veprim që do të zgjeronte opsionet ushtarake, përfshirë edhe mundësinë e vendosjes së forcave brenda territorit iranian.
Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, nuk dhanë detaje të sakta për vendndodhjen e dislokimit të trupave, por theksuan se ky ishte një zhvillim i pritshëm.
Forcat shtesë të Ushtrisë përfshijnë elementë të selisë së Divizionit të 82-të Ajror, njësi logjistike dhe mbështetëse, si dhe një ekip luftarak të nivelit brigade.Sipas të njëjtave burime, trupat mund të përdoren për një sërë operacionesh në kuadër të përballjes me Iranin, përfshirë edhe një ndërhyrje të mundshme në ishullin Kharg, që përbën qendrën e rreth 90% të eksporteve të naftës së Iranit.