Miftaraj: Mos pagesa e pagave për mësimdhënësit konsiderohet vrasje e të drejtës për grevë
Lexohet për: 6 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Mos ekzekutimi i pagave për muajin shtatori për punëtorët e arsimit për shkak se ishin në grevë po konsiderohet si veprim i kundërligjshëm i Qeverisë së Kosovës. Njohësit e çështjeve juridike theksojnë se me këso qëndrime Qeveria  po e vret të drejtën për grevë, e drejtë e  garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj u shpreh se është fatkeqësi se si ekzekutivi kosovar po zbaton politika diskriminuese në raport me mësimdhënësit dhe zyrtarët publik.

Ai thotë se me ligjet e aplikueshme në Kosovë është e ndaluar tu ndërpriten pagat grevistëve, prandaj kërkoi që qeveria e Kosovës t’i interpretojë ligjet e jo t’i lexojnë ato.

“Është fatkeqësi që qeveria zbaton politika diskriminuese në raport me mësimdhënësit dhe zyrtarët publik në Administratën Publike duke veçuar se kujt do t’i procesohet paga, e kujt jo.  Në anën tjetër grevat në bazë të ligjit të aplikueshëm në Kosovë, praktikat dhe standardet ndërkombëtare që janë të aplikueshme  në Kosovë...Qeveria e Kosovës në mënyrë të kundërligjshme fatkeqësisht është duke mos i ekzekutuar pagat për muajin që kanë qenë në grevë. E kemi thënë vazhdimisht që Qeveria ata zyrtarët e shtetit të cilët marrin vendime nuk duhet të lexojnë  ligjet, por t’i interpretojnë në pajtim me frymën apo qëllimin e vet ligjit. Nëse lexohet neni 1 i Ligjit për Grevat thuhet se qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i të drejtave të grevistëve dhe këto të drejta duhet të interpretohen në harmoni me standardet ndërkombëtare në Kosovë. Askund në  nenin 1 të ligjit që është qëllimi i vet ligjit, apo fryma e ligjit nuk thuhet detyrimet e grevistëve. Në Kosovë në kontekstin se si është hartuar ligji,  se si është rregulluar liria e asocimit e drejta në grevë, bashkimi sindikal është e ndaluar që tu ndërpriten pagat grevistëve”, tha ai.

Drejtori i IKD-së, për KosovaPress konsideron se mos ekzekutimi i pagave për mësimdhënësit për muajin shtator është një vrasje e një të drejte të garantuar me Kushtetutë.

Sipas tij kjo mënyrë e sjelljes së Qeverisë është sikur ta shfuqizoj Ligjin për Grevat.

“Kjo është vrasje e një të drejte të garantuar me Kushtetutë që është e drejta e asocimit dhe liria  e asocimit në sindikatë, por edhe një e drejtë ligjore siç është e drejta në grevë. Askush nesër qoftë në sektorin publik apo privat nëse do ta dinë se paraprakisht do t’i ndalet pagat pothuajse nuk do ta shfrytëzojnë të drejtën për grevë sepse thjesht qytetarët publiku të gjithë ata 21 mijë mësimdhënës kanë obligime ndaj familjes, në banka e kredi...Një qasje e tillë pothuajse e mbyt të drejtën në grevë, me të njëjtën mënyrë është sikur ta shfuqizoj qeveria ligjin për grevë,  mund ta kesh një të drejtë në letër por nuk e zbaton është i pavlerë“, theksoi Miftaraj.

Sipas tij Qeveria e Kosovës është duke bërë një precedent të rrezikshëm edhe për sektorin privat.

“Një Qeveri që mendon të qeverisë mbi bazat e sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe që ka për qëllim të rregulloj fusha të caktuara apo të tëra në ekonominë e vendit nuk duhet në asnjë rast që në një rast të caktuar siç është tani të ndërtoj një precedent të rrezikshëm i cili pastaj zbatohet edhe në sektorin privat. Sot është lehtë që partia në pushtet të gjej një armik siç janë 21 mijë mësimdhënës tua ndal pagat për grevën që kanë pasur, por nëse ndërton një standard që është në kundërshtim me ligj e ndërton  standardin që nesër pothuajse në sektorin privat ku shkelen të drejtat e punëtorëve në mënyrë masive  askush nuk do të marr guximin të hyjë në grevë. Ndërtimi i një precendenti në sektorin publik duhet ta kuptoj edhe Qeveria edhe kryeministri Kurti edhe të gjithë se është i barazvlerfshëm dhe i zbatueshëm edhe në  sektorin privat”, theksoi Miftaraj.

Njohësi i drejtësisë, Ehat Miftaraj konsideron se me këtë veprim ekzekutivi kosovar po rrezikon të rriten lëndët civile në sistemin gjyqësor.

Sipas tij secili prej mësimdhënësve mund të parashtroj padi në Gjykatë.

“Secili mësimdhënës që mund të parashtroj padi në gjykatë  pothuajse e ka rastin e fituar. Çka do të ketë ndikim? Nëse 21 mijë mësimdhënës bëjnë padi numri i lëndëve civile në gjykatat e Kosovës do të  rritet për 21 mijë lëndë, të cilat do të marrin vite për tu trajtuar. ..Nëse themi se 11 milionë e 500 mijë euro është për muajin shtator paga për të gjithë mësimdhënësit jam i sigurt se kjo vlerë do të kaloj përafërsisht 25-30 milionë euro që do të paguhen në mënyrë direkte apo indirekte nga buxheti i Kosovës”, u shpreh drejtorit i IKD-së.

Kujtojmë që nga 1 shtatori mësimdhënësit nuk kanë mbajtur mësim deri më 3 tetor kur edhe nisi procesi i vitit të ri shkollor. E kërkesa kyçe e tyre ishte 100 euro deri në fillim të zbatimit të Ligjit të Pagave dhe hartimi sa më shpejt i këtij ligji. E krahas mësimdhënësve në grevë kishin hyrë me kërkesa të njëjta nga 25 gushti edhe punëtorët e Administratës Publike. E kjo grevë u pezullua të shtunën.

Sa i takon mospagesës së mësimdhënsve gjatë ditë sot ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci e cila tha se komunat të cilat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, nuk kanë raportuar në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, ndonëse e kanë obligim. Sipas saj kompensim do të ketë vetëm për punën e bërë.

Ndërsa, nga Këshilli i Prindërve kanë thënë se nëse mësimdhënësve nuk u jepen pagat e shtatorit, prindërit duhet të organizohen për të mbledhur fonde për t’u ndihmuar financiarisht mësimdhënësit./B.Ibishi/ 

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024