Në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë është mbajtur mesha solemne e festës së Shën Terezës, humanistes dhe nobelistes shqiptare.
Në meshën e udhëhequr nga imzot Zef Gashi, u tha se jeta dhe vepra e Shën Nënës Terezë ishte dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria
“Sot me rastin e 6-vjetorit të shpalljes së Nënë Terezës shenjtëreshë, me rastin e 25-vjetorit të kalimit të saj në amshim, dhe me rastin e 5-vjetorit të shugurimit të kësaj katedraleje, më lejoni të ju përkujtoj se e gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës ishte dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria. Nga dashuria e madhështisë dhe dinjitetit të çdo njeriut, e vlerës, e gjërave të vogla të bëra më besnikëri dhe dashuri sidomos e vlerës së pakrahasueshme e miqësisë me Zotin. Urimin dhe themelin e të gjitha të mirave hyjnore”, theksoi Gashi.
Gashi theksoi se Shën Nënë Tereza ishte dhuratë e Zotit për të varfëritë ndër më të varfër.
Në shënimin e ditëve të Shën Nënë Terezës, këto ditë janë organizuar një sërë aktivitetesh.
Shën Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay më 1962 dhe Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.