Akademiku shqiptar, Arben Merkoçi vlerëson se institucionet shtetërore duhet të ofrojnë më shumë mbështetje financiare për fushën e shkencës, pasi siç beson ai pa investime në shkencë e edukim nuk ka të ardhme të sigurt.
Merkoçi në një intervistë për KosovaPress, tregoi për projektet e tij që po i zhvillon si drejtues i grupit të nanoshkencës dhe nanoteknologjisë në e Institutit Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në Barcelonë.
Akademiku shqiptar, Arben Merkoçi deklaroi se krijojnë pajisje të thjeshta dhe efikase që mund të përdoren nga të gjithë, duke ndihmuar në monitorimin e shëndetit, trajtimin e sëmundjeve dhe mbrojtjen e mjedisit, me potencial për mjekësi të personalizuar në të ardhmen.
Profesori i ICREA-së konsideron se mbështetja shtetërore për shkencën duhet të jetë më e madhe, duke shtuar se Kosova dhe Shqipëria investojnë shumë më pak në këtë fushë krahasuar me vendet evropiane.
“Mbështetja që duhet t'i japë shteti fushës së shkencës është shumë e rëndësishme. Dhe për të ardhur keq në zonë, në rajon, edhe Shqipëria edhe Kosova kanë një përqindje domethënë të asaj çfarë shteti i dedikon shkencës dhe edukimit, është shumë e ulët në krahasim me vendet e Evropës. Pra duhet një investim akoma më i madh....Sepse në fund të fundit, gjithçka kemi sot, edhe këto zhvillimet e reja, inteligjenca artificiale, të gjitha kanë mbrapa shkencën. Në qoftë se nuk investohet në shkencë, në edukim, domethënë e ardhmja nuk është e sigurte”, tha ai.