Bashkatdhetarët mitrovicas të cilët po shijojnë ditët e fundit të pushimeve në vendlindjen e tyre, shprehen të kënaqur me ndryshimet në qytetin e Mitrovicës. Ata, gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, deklaruan se për një kohë të shkurtër janë bërë ndryshime të mëdha, sidomos në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës, ndërsa nuk e fshehin dëshirën e flakët që vitin e ardhshëm ta gjejnë Mitrovicën e bashkuar.
Bahtir Ademi, i cili ka ardhur për pushime me familjen e tij pesë anëtarëshe nga Franca, thotë se është bërë ndryshim i madh në Mitrovicë sa i përket ndërtimit.
Ai pati vërejtje sa i përket pastërtisë në përgjithësi nëpër rrugët e qytetit, për çka tha se qytetarët duhet ta ngritin vetëdijen rreth kësaj çështje dhe të mos hedhin mbeturina e gjësende tjera vend e pavend.
Ademi vuri në pah dëshirën e madhe që vitin e ardhshëm ta gjejë Mitrovicën e bashkuar, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të lëvizin lirë e pa probleme në pjesën veriore.
Edhe Bashkim Azemi, një mitrovicas tjetër me punë të përkohshme në Gjermani, ka përmendur bashkimin e qytetit si çështje kryesore që kishte dashur të shoh vitin e ardhshëm.
Arsim Avdyli, mërgimtar poashtu nga Franca, tha se këtu tashmë gjithçka ka ndryshuar për të mirë, duke përfshirë ndërtimet gjithandej, por edhe gjendjen e përgjithshme ekonomike të qytetarëve në përgjithësi.
Në anën tjetër, Valdete Idrizi, drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, bëri të ditur se Komuna këtë vit, në kuadër të ‘Javës së diasporës’, ka organizuar për më shumë se një muaj aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive për mërgimtarët.
Ajo, përveç koncerteve dhe aktiviteteve sportive, ka përmendur edhe panaire, ekspozita, mbrëmje letrare e kampe rinore, siç tha ajo, si vazhdimësi e traditës së pritjes dinjitoze e me zemër për diasporën.