Memli Krasniqi në Skenderaj: E pakuptimtë që Qeveria të privojë Drenicën nga uji i pijes
Lexohet për: 2 min.
Memli Krasniqi
2 vite më parë
Linku u kopjua


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë një vizite sot në Skenderaj, ka adresuar kritika ndaj Qeverisë Kurti për neglizhencë të kërkesave të komunave që udhëhiqen nga partitë opozitare në nivel qendror.

Ai pas takimit me kryetarin e Skenderajt Fadil Nura, u shpreh i kënaqur që qeverisja e re në Skenderaj që udhëhiqet nga PDK po jetësohet duke i realizuar zotimet e bëra në fushatën zgjedhore para qytetarëve të kësaj komune, ndonëse qeveria e Kosovës po i bllokon projektet e komunave.

“Më gëzon fakti që këtu ka një vullnet dhe një entuziazëm, një përkushtim të madh në punë, por që nuk ka një mbështetje që do të duhej ta kishin nga niveli qendror, e që është e pakuptimtë dhe e paarsyeshme, sepse zgjedhjet kanë përfunduar, andaj është obligim i qeverisë që t’i trajtojë qytetarët pa dallime”, tha ai.

Ai tha se shumica dërmuese e komunave në Kosovë udhëhiqen nga partitë opozitare, por kjo s’duhet të jetë pengesë për qeverinë dhe kryeministrin Kurti që t’i mbështesë këto komuna.

"Derisa kemi raste, ta zëmë, që qeveria merr vendime për t’i obliguar kafiteritë që t’iu çojnë ujë nga çezma atyre që porosisin kafe, qytetarët e Drenicës dhe Skenderajt në veçanti i penalizon duke ua pamundësuar shërbimin e ujit të pijes edhe për nevojat më bazike”, theksoi lideri i PDK-së.

Ndërsa, kryetari i Skenderajt Fadil Nura tha se qeveria aktuale e ka hequr komplet nga buxheti i këtij viti projektin kryesor që do të mundësonte furnizimin me ujë të pijes për qytetarët e kësaj komune.

“Një nga problemet më të mprehta në Komunën e Skenderajt është uji i pijes, një projekt madhor, i cili ka qenë në procedura të prokurimit, por që fatkeqësisht nga qeveria e sotme është anuluar dhe kjo ka bërë që sot Skenderaj dhe 53 fshatra të ngelin kryesisht pa furnizim me ujë të pijes, që është për keqardhje”, tha ai.


Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024