Në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalisë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë.
Krasniqi me këtë rast ka shprehur shqetësimin për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe kërkoi nga diplomati sllovak që të luajë një rol ndihmues për heqjen e tyre.
BE ka vendosur në korrik të vitit të kaluar masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mos përmbushjes së kushteve të BE-së dhe SHBA-së për shtensionimin e situatës në veri.
Masat, për të cilat Qeveria e Kosovës ishte njoftuar më 28 qershor 2023, përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri në kuadër të dialogut, ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit IPA 2024.