Zv.ministri në detyrë, njëherit, kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, është liruar nga Spitali Rajonal i Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ku ishte duke u trajtuar pas sulmit fizik që ndodhi të enjten në një kafiteri në Skenderaj.
Lajmin për lirimin e tij e kanë konfirmuar për KosovaPress nga spitali, duke bërë të ditur se Mehani është lëshuar për trajtim shtëpiak para orës 09:00 të mëngjesit.
Ai ka akuzuar kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, duke pretenduar se ai, bashkë me persona të tjerë, ishte i përfshirë në sulmin ndaj tij.
Ndërkohë, Lushtaku ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve, duke i mohuar akuzat.Në lidhje me rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se janë ndaluar për 48 orë E.L. dhe B.N., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”.
Sipas Prokurorisë, dy të dyshuar të tjerë me inicialet S.L. dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim.