Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të "Javës së Ndihmës Juridike Falas”, ka organizuar sot tryezën e diskutimit me temën "(Mos) Zbatimi i të drejtave të pensionistëve në praktikë dhe ngarkimi i gjyqësorit me lëndë".
Edhe pse ishin të ftuar, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, nuk iu përgjigjen ftesës për pjesëmarrje në këtë tryezë.
Ai shtoi se IKD ka analizuar mohimin e pensioneve të dyfishta për kategoritë e caktuara, duke u fokusuar në ligjet për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të UÇK-së, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.
“Në zyrat e Qendrës për Ndihmë Juridike falas të IKD-së vijnë qytetarë të cilët janë të moshave të shtyra, ka edhe 80-90 vjeçar, të cilët fatkeqësisht enden jo vetëm zyrave të IKD-së, por edhe zyrave në departamente të pensioneve, në komunat ku ata janë”, ka thënë Miftaraj.
“Situata e pensionit të dyfishtë ose me dy skema pensionale veçse po merr dimension në procedura gjyqësore dhe besoj që duhet kjo të reflektojë në përmbushje të vullnetshme. Të gjitha kategoritë meritojnë respektin, por nuk duhet harruar asnjëri prej nesh që norma ligjore në fakt e ka edhe dimensionin social dhe human brenda vetes dhe në këtë rast të gjitha skemat sociale ndërtohen mbi këtë koncept, andaj ky dimension duhet të shtrihet edhe në zbatimin e normës dhe jo në këtë situatën kur njerëzit vendosen në dilemë dhe në vështirësi për realizimin e së drejtësi”, tha Zogaj.
Gjyqtari Rexhep Gashi informoi se gjatë muajve mars-maj kishin ardhur rreth 1200 padi lidhur me pensione, duke sjellë një ngarkesë të madhe për gjykatën.
Zëvendësuesja e Drejtores së Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Flutura Berbati-Zena, vuri në dukje se kërkesat nga qytetarët për pensione të dyfishta janë dyfishuar.
“Sa i përket vitit 2023, ky numër ka pësuar rritje me 50 për qind. Gjatë vitit 2023 janë trajtuar 503 raste që kanë të bëjnë me çështjet e pensioneve dhe 77 kanë qenë këshilla juridike, 120 padi, 185 ankesa, 24 parashtresa, 94 kërkesa dhe 4 lëndë të referuara e avokatët”, ka shtuar ajo.
Koordinatorja e Qendrës për Ndihë Juridike Falas, Arrita Rezniqi, tha se nga tetori dhe nëntori i vitit të kaluar, kanë pranuar rreth një mijë kërkesa nga qytetarët dhe rreth 600 padi janë dërguar në gjykatë.
“Si zyrë e kemi krijuar një strategji të brendshme të funksionimit, për trajtimin e të gjitha këtyre rasteve dhe falë punës së madhe të stafit të qendrës, të gjitha trajtohen me një afat shumë optimal nga qendra jonë, por pastaj e ngarkojmë gjyqësorin që pastaj është një problematikë tjetër”, ka deklaruar Rezniqi.
Tryeza përfundoi punimet me konkluzionet se Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Financave të bëjnë zbatimin e drejtë të ligjit në raport me pensionistët e Kosovës, të cilët janë edhe përfitues të pensioneve sipas ligjeve të tjera të veçanta.