Më 16 korrik Specialja shpall aktgjykimin kundër Pjetër Shalës
Lexohet për: 3 min.
pjeter-shala-3
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Më 16 korrik, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të shpallet aktgjykimi kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, që akuzohet për krime lufte.

Shala ishte arrestuar në mars të vitit 2021 në Belgjikë dhe ishte transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në prill të atij viti.

Gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt të vitit 2023 dhe në këtë proces gjyqësor morën pjesë tetë viktima. Ai është deklaruar i pafajshëm për katër pikat e aktakuzës: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Sipas aktakuzës, pretendohet se në mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të UÇK-së “morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë”.

Në aktakuzë thuhet se viktimat e krimeve, që pretendohet se ka kryer Shala, ishin persona që dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk përkrahnin UÇK-në. Aty pretendohet se të ndaluarit në një fabrikë metali në Kukës u keqtrajtuan rregullisht, qoftë fizikisht apo psikologjikisht.

Në aktakuzë pretendohet se Pjetër Shala “kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në krimet e pretenduara, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mosmarrjes së masave adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, dhe duke ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat u ngritën akuzat”.

Deri më tani, Dhomat e Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë shqiptuar dënim për pengim të drejtësisë ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati, të cilët vitin e kaluar u liruan me kusht.

Ndërkaq, aktualisht pranë Dhomave të Specializuara është duke u zhvilluar një rast gjyqësor, ai ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./REL

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024