Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, mbrojtja e të akuzuarve ka kritikuar prokurorinë për mos nxjerrje të provave shfajësuese.
Duke folur për materialet e rregullës 103 që përfshinë provat shfajësuese, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se ekzistojnë dokumentet nga institucionet amerikane që tregojnë se UÇK-ja nuk ka qenë e përfshirë në aktivitete terroriste.
Avokati Kehoe ka përmendur edhe një raport të CIA-s, i cili sipas tij tregon se UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste.
“Është edhe një raport i CIA-s i 3 janarit 2000, CIA publikisht i drejtohet Kongresit në rastin e diskutimit të një projektligji për buxhetin. Shtetet e Bashkuara konstatuan, thotë këtu, që udhëheqja e UÇK-së duket se nuk është angazhuar në operacione narkotike për të mbështetur aktivitetet e veta gjatë luftës. Kjo ka ardhur nga agjencia e zbulimit amerikan, kanë thënë gjithashtu që UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste të përcaktuara si dhunë e paramenduar e kryer kundër objekteve jo luftarake. Pra, thonë që nuk e dinë këtë raport, ku thuhet se nuk ka pasur trafikim dhe udhëheqja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste. Përsëri po ndjekim një qasje, mirëpo se çka do të thotë materialet e rregullës 103. Këtu duhet ta japim horizontin tonë me atë që është material i rregullës 103 dhe testi do të duhej të ishte nëse do t’ua cenonte çështjen aty, ata duhet të na japin neve këto materiale, ky është shqetësimi ynë. Është shqetësim që duhet rregulluar që ky informacion duhet dorëzuar menjëherë e jo të pritet 16 muaj e pastaj të dorëzohet”, ka thënë avokati Kehoe.
“Parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit sa i takon kontakteve me qeverinë amerikane dhe shkalla e bashkëpunimit apo materialit që mund të kemi marrë është tërësisht spekulative, nuk ka absolutisht asnjë bazë të mendosh se ZPS ka qasje apo ka në zotërim dokumentacione ashtu siç sugjeron ajo mbrojtje”, ka thënë përfaqësuesja e ZPS-së.
Lidhur me këtë ka reaguar avokati Kehoe, i cili ka thënë se ZPS-ja në vazhdimësi i ka bërë kërkesa qeverisë amerikane lidhur me strukturën e UÇK-së.
Derisa është diskutuar për provat shfajësuese, prokurorja ka thënë se nga konferenca e fundit kanë nxjerrë edhe tetë paketa me materiale të rregullës 103 të cilat përmbajnë 751 prova. Ajo ka thënë se ka ende materiale për t’u rishikuar nëse përmbajnë prova shfajësuese.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se ka prova që konfirmojnë manipulimet nga ana e autoriteteve serbe.
Emmerson ka thënë se ka përpjekje nga ana serbe për të manipuluar provat.
“Ka gjëra të cilat çdo prokuror që ndodhet në këtë proces mund të jetë në dijeni të informacioneve që i kanë parë, por që kanë dalë në proces edhe të tjera për shembull provat e forcave serbe në terren në Kosove, kanë pasur në dispozicion municione kineze për të vrarë civilë dhe kjo të dukej sikur ishte bërë nga UÇK-ja. Pra, ka orvatje serioze nga ana serbe për të manipuluar provat. Ky informacion dihet. Pse nuk na është vënë në dispozicion?”, ka thënë ai.
“Kemi shqetësime të rënda sa i takon qëndrimin që mban prokurori për nxjerrjen e materialit shfajësues. Siç e dimë ky material ka të bëjë me pafajësinë e të akuzuarve dhe mund të ndryshojë tërësisht pistën, apo edhe çështjen gjyqësore”, ka thënë avokati i Rexhep Selimit, David Young.
Sipas avokatëve, provat që lidhen me UÇK-në mbetën pa u nxjerrë.