Fermerët në Kosovë janë në periudhën e mbjelljeve pranverore, ku një ndër kulturat më të rëndësishme mbetet misri.
Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, theksohet se kultivimi i misrit kërkon planifikim dhe kujdes të veçantë, me qëllim rritjen e rendimentit për njësi sipërfaqeje dhe ruajtjen e cilësisë së prodhimit. Për këtë arsye, edhe këtë vit janë planifikuar përkrahje financiare përmes subvencioneve për fermerët prodhues të kësaj kulture.
Institucioni rekomandon zbatimin e masave agroteknike, si përgatitja e tokës përmes lërimit dhe përdorimit të plehut organik, plehërimi kimik në pranverë, si dhe ripëlhërimi gjatë fazave të zhvillimit të bimës. Po ashtu, rëndësi e veçantë i kushtohet përzgjedhjes së farës dhe hibrideve, të cilat ndryshojnë sipas rajoneve, si në Rrafshin e Kosovës dhe atë të Dukagjinit.
Sipas rekomandimeve, afati optimal për mbjelljen e misrit është nga 15 deri më 25 prill, kur temperatura e tokës arrin 10–12 gradë Celsius, ndërsa për rendimente më të larta sugjerohet edhe përdorimi i sistemit të ujitjes.