Mbi 14 milionë njerëz përballen me pasiguri ushqimi në Afganistan
Lexohet për: 2 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Rreth 14.2 milionë njerëz në Afganistan aktualisht përballen me pasiguri akute ushqimore, njoftoi sot Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO).

Raporti i fundit i organizatës për Klasifikimin e Fazës së Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC) për mars-prill 2024 tregon një "tendencë pozitive të vazhdueshme" me 14.2 milionë njerëz ose 37% e popullsisë së Afganistanit, që vlerësohet të përballet me pasiguri akute ushqimore, tha përfaqësuesi i FAO-s Richard Trenchard në Gjenevë.

Kjo shënon një rënie dramatike nga fillimi i vitit 2022, kur gati 23 milionë njerëz ose rreth 55%, po përballeshin me pasiguri akute ushqimore, një kategori e njohur si IPC3+, tha Trenchard.

"Është një shkallë dhe shpejtësi rënieje pa precedent historik të kohëve të fundit," shtoi ai.

Rënia është një dëshmi e qëndrueshmërisë së fermerëve të Afganistanit dhe popullit të saj, përmirësimeve në kushtet klimatike, stabilizimit në rritje në ekonominë afgane dhe niveleve "të mëdha" të ndihmës humanitare dhe jo-humanitare, tha ai.

Megjithatë, paralajmëroi ai, kjo nuk e ndryshon faktin që Afganistani "mbetet ndër krizat më të mëdha në botë të pasigurisë ushqimore në terma absolutë".

"Dhe më shumë se dy milionë njerëz ende përballen me nivele emergjente të pasigurisë ushqimore, IPC4," tha ai, duke paralajmëruar se situata e sigurisë ushqimore mbetet "jashtëzakonisht e brishtë" për shkak të goditjeve të shkaktuara nga klima dhe ekonomisë jo stabile.

"Mbetet jashtëzakonisht e rëndësishme të vazhdohet investimi si në ndihmën humanitare ushqimore ashtu edhe në ndihmën emergjente bujqësore për të mbajtur prirjen rënëse," shtoi ai. /AA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024