Më shumë se 1,170 punonjës shëndetësorë në Kosovë janë të infektuar me variantin Omicron të koronavirusit. Prej tyre, 700 janë infermierë, 290 mjekë dhe 280 pjesëtarë të stafit mbështetës, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla.
Sipas tij, në sektorin publik të shëndetësisë punojnë më shumë se 14 mijë punonjës - çfarë do të thotë se mbi tetë për qind e tyre janë të infektuar. Syla thotë se izolimi i tyre krijon “mungesa jashtëzakonisht të mëdha” në ofrimin e shërbimeve.
Testet duhet të kryhen në ditën e 6-të dhe në ditën e 7-të nga diagnostikimi, me një diferencë kohore prej 24 orësh.
Për punëtorët shëndetësorë, sipas rregullave të IKSHPK-së, vetizolimi mund të shkurtohet në pesë ditë, nëse i infektuari rezulton negativ një herë me test PCR ose me test të shpejtë.
Të premten, janë konfirmuar 3,617 raste të reja dhe katër viktima.
Numri i rasteve aktive ka kaluar 31,000. Prej tyre, 157 veta janë të shtrirë në spitale.
“Të lirë janë edhe 20 shtretër [në Infektive]”, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj.
“Nëse vazhdon ky trend, pritet hapja e Mjekësisë sportive... Kemi nisur të emërojmë infektologë që do të angazhohen në Mjekësinë sportive”, paralajmëron Vishaj.
Anëtari i kryesisë së Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e infermierëve të infektuar e mbingarkon stafin aktiv në punë.
Megjithatë, shton ai, situata vazhdon të jetë “më e qetë” nëse krahasohet me fazat paraprake të pandemisë.
Atëbotë, variant dominues i koronavirusit në Kosovë besohet se ka qenë Delta, i cili edhe ka shkaktuar simptoma më të rënda.
Aktualisht, besohet se dominon varianti Omicron, i cili, sipas profesionistëve shëndetësorë, përhapet më shpejt, por përcillet me simptoma më të lehta.
Latifi ka thënë se shkurtimi i periudhës së izolimit për punonjësit shëndetësorë, të infektuar me koronavirus, është bazuar në praktikat e Shteteve të Bashkuara.
SHBA-ja e ka përgjysmuar kohën e izolimit për personat që janë të infektuar me koronavirus - por pa simptoma - nga dhjetë ditë në pesë.