Në kuadër të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, sonte në Prekaz u mbajt manifestimi tradicional “Nata e Zjarreve”.
Përmes ndezjes së flakadanëve të lirisë u përkujtua sakrifica e komandatit Adem Jashari dhe e familjes së tij.
Pas ndezjes së flakadanëve, në sheshin e Skenderajt po mbahet program artistik.
Manifestimi gjithëpopullor “Epopeja e UÇK-së” ka nisur më 5 mars (e diel) dhe zgjati deri sonte (e martë), kur përfundoi me manifestimin “Nata e Zjarreve”.
Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica kishin qenë të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi kishte qenë vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën që ishin duke ia bërë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Më 30 dhjetor të vitit 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kishin kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar, forcat serbe kishin sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kishin rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që kishte zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kishin mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i kishin shkuar miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kishin kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë” dhe kishin vendosen të qëndronin. Kishin qëndruar për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.
Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.