Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka ngritur sot shqetësimet e tij mbi gjendjen e sigurisë në Ballkan, duke përmendur tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas stërvitjeve ushtarake të kësaj të fundit në afërsi të kufirit. I pari i Ministrisë së Mbrojtjes tha se Ballkani ende ka gjendje jo-stabile nisur nga tensionet Serbi-Kosovë dhe çështjeve të tjera që ndërlidhen me sigurinë dhe mbrojtjen. Ai theksoi se është në interes të përgjithshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjetja e mekanizmave për integrim evropian përmes diplomacisë ndërparlamentare dhe bashkëpunimit evropian.
Ministri Maqedonci foli edhe lidhur me përpjekjet ruse për destabilizim të rajonit, përfshirë edhe nëpërmjet lajmeve të rrejshme. Ai këto komente i bëri gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, me temën “Sfidat në fushën e sigurisë në vendet e Evropës Juglindore: pasojat politike dhe të sigurisë si një sfidë për paqe dhe stabilitet në rajon”. Punimet e Asamblesë i zhvilloi Komisioni i Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Siguri, që zyrtarisht i hapi kryetari i këtij komisioni, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mefail Bajqinovci.
Në këtë kontekst, Bajqinovci shtoi se kërcënimet në rritje të sigurisë dhe tensionet në Prishtinë, për shkak të përpjekjeve të Beogradit për destabilizim të komunave veriore të Kosovës dhe përpjekjeve të etnitetit të Republikës Serbe për shkëputje nga Sarajeva, janë aspekte të veçanta që ky raport thekson. Po ashtu, deputeti Bajqinovci tha se sipas këtij raporti edhe inteligjenca amerikane parashikon rritjen e tensioneve etnike në rajon, të cilat mund të shfrytëzohen nga liderët nacionalistë për avantazhe politike dhe për të penguar integrimin në BE dhe në NATO. “Si përfundim, në dritën e raportit, është e qartë se pushtimi ushtarak rus në Ukrainë ka ngritur sfida të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe politikës, duke rrezikuar edhe paqen dhe stabilitetin e disa vendeve anëtare të SEECP-së”, theksoi deputeti Bajqinovci, duke shtuar se pavarësisht nga kërcënimet e jashtme, Kosova është e interesuar për fqinjësi të mirë, respekt e bashkëpunim reciprok. Koordinatori i EJL dhe analisti i lartë i politikave ekonomike, Arslan Umut Ergezer, gjatë prezantimit të barometrit të sigurisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera foli edhe për çështjen e korrupsionit.
Duke folur për të gjeturat e raportit për sa i përket migrimit të qytetarëve, deputeti Ergezer tha se një numër i madh i qytetarëve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë të interesuar të migrojnë për në vende të tjera. “Mbi 50 për qind e të rinjve në vendet tona dëshirojnë të largohen nga vendet e tyre”, tha Ergezer, duke shtuar se përqindja shkon edhe më lartë kur është në pyetje siguria për të ardhmen ekonomike të qytetarëve. Migrimi dhe siguria, ai tha se janë të ndërlidhura mes vete, kështu që lufta në Ukrainë, përkatësisht vazhdimi i saj, krijon edhe më shumë ndjenjën e pasigurisë te qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pas përfundimit të debatit, nuk pati kuorum për vendimmarrje për miratimin e draft-raportit dhe draft-rezolutës, pasi sallën e lëshoi një deputet nga Maqedonia Veriore. Në punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, të cilat u përmbyllën sot, morën pjesë deputetë nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina.