Mandati në Këshillin e Sigurimit, SHBA: Mirëpresim të shërbejmë së bashku me Shqipërinë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën sot marrjen nga Shqipëria të mandatit të anëtarit jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Urime Shqipërisë për një arritje të jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori. Shtetet e Bashkuara mirëpresin të shërbejnë së bashku me Shqipërinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të trajtuar sfidat më të ngutshme me të cilat përballet sot bota jonë”, deklaroi sot ambasada amerikane në Tiranë, raporton atsh.
Për herë të parë, 66 vjet pas anëtarësimit në OKB Shqipëria ulet në tryezën më të lartë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, moment të cilin ministrja Xhaçka e cilësoi sot një përgjegjësi por edhe një mundësi e madhe për vendin tonë për të lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare.