Skënder Thaçi, kandidat për deputet nga koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, nuk është vetëm një figurë e njohur për angazhimet humanitare, por edhe për iniciativat e tij në zhvillimin ekonomik dhe turizmin malor në Kosovë.
Një nga projektet më të shquara të tij është “Magra Austria”, i nisur në vitin 2008 në zonën e Rugovës, që ka për qëllim promovimin e turizmit të qëndrueshëm në Evropën Juglindore.
Ai thotë se me përkrahjen e familjes, ekspertë austriakë dhe vullnet të palëkundur, arriti të krijojë një projekt model për zhvillimin e turizmit malor në Kosovë.
“Unë kam ndihmën dhe asistencën nga Austria, për projektin Magra Austria dhe nuk ishte e lehtë, me një fjalë, që të realizohej, se ishte një projekt i Bashkimit Evropian, domethënë për zonat, për shtetet e Evropës Juglindore, për zhvillimin e turizmit malor. Dhe e bëmë një grafik të Kosovës, me një fjalë, duke studiuar zonat e veçanta, të cilat dhe u orientuam nga Rugova me ca miq të mi austriakë, specialistë të asaj fushe, dhe ne u instaluam në Bogë. Por në atë periudhë, kur unë veç fillova për të vepruar në Bogë, në vitin 2008, aty ku sot Magra është një trend që i ka dhënë një impuls të madh zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm të Kosovës. Ajo ka krijuar një emër sa i përket turizmit malor të qëndrueshëm dhe kjo nuk ka qenë lehtë. Aty ku është sot Magra, aty nuk ka pasur rrugë, nuk ka pasur rrymë, nuk ka pasur ujë, dhe në atë periudhë kam qenë i sfiduar për të vepruar vetë, dhe me vullnetin e përkushtimin dhe përkrahjen e familjes, me një fjalë, ia kemi arritur at ku jemi sot. Dhe ai biznes menaxhohet nga dy djemtë e mi, Artili dhe Albini. Është një biznes familjar që i ka dhënë zhvillim zonës së Rugovës, zhvillimit të turizmit malor”, deklaron ai.
“Magra ka qenë një model dhe sot Rugova është bërë një trend i turizmit, pritjes së turizmit, nga rajoni, Shqipëria dhe bota. Një fjalë që është diçka që të bën që të ndihesh mirë. Fokusi është i orientuar në biznesin familjar që të kontribuohet për familjen tonë individuale, po edhe kontributi i punësimit, me një fjalë, se Magra në atë periudhë, me një fjalë, tash është pak, varet prej rrethanave, situatave, Magra ka ditur t'i ketë mbi 60 punëtorë. Kur të analizohen nuk janë pak 60, të mbahen 60 familje, dhe në këtë sektor kryesisht punojnë rinia. Domethënë, djem të rinj, vajza të reja, domethënë, që japin edhe një kontribut tjetër shtesë, domethënë tek orientimi i tyre, të ardhmes së tyre, që mos të ikin rinia jashtë Kosovës, domethënë të ruhet potenciali që ne e kemi aty ku duhet, që është nevoja e vendit tonë. Edhe nuk thonë kot që guri i rëndë peshon në vend të vet”, thekson ai./KosovaPress/