Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron shprehën sot unitet për ndihmën për Ukrainën në një samit në Berlin me kryeministrin polak Donald Tusk, pas javësh tensioni mbi strategjinë që do të miratohet ndaj Moskës.
“Sot, më shumë se kurrë, uniteti ynë është forca jonë dhe mbi të gjitha tre shtetet tona, Gjermania, Polonia dhe Franca, mbajnë një përgjegjësi të veçantë”, tha kancelari gjerman. Ndërsa, presidenti francez tha se “do të blejmë edhe më shumë armë për Ukrainën, në të gjithë tregun botëror”.Ky takim duhej të mbyllte një fazë mosmarrëveshjesh që pasoi konferencën për mbështetjen e Ukrainës në Paris më 26 shkurt, e cila dobësoi mesazhin e unitetit perëndimor ndaj Moskës. Olaf Scholz hodhi poshtë kategorikisht mundësinë e dërgimit të ushtarëve në tokën ukrainase. Mosmarrëveshjet u rritën më tej javën e kaluar kur Macron tha në Pragë se Evropa ishte në një moment "ku nuk do të ishte e përshtatshme të jesh frikacak".
“Të tre liderët do të takohen në samitin e BE-së në Bruksel më 21 dhe 22 mars dhe më pas në Poloni në fillim të verës”, njoftoi kryeministri polak Donald Tusk.