Në tryezën e diskutimit rreth nismës ligjore lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, iniciuar nga deputeti Mërgim Lushtaku, përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane dhe ekspertë të komunikacionit ishin kundër heqjes se kritereve për importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet, kjo për arsye siç u shprehen ata të ruajtjes së mjedisit në vend.
Ndonëse, deputeti Lushtaku gjatë arsyetimit të kësaj nisme ligjore, theksoi se në asnjë vend të Evropës nuk ka kufizim të importit të veturave me dhjetë vjet. Ai tha se në vendet evropiane ka vetëm standard të euro diesel 4, dhe shtoi se janë edhe për ruajtjen e ambientit në Kosovë.
Nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Vesa Sahatçiu theksoi se qëndrimi i OEAK mbetet që nuk mund të importohen vetura më te vjetra se dhjetë vjet, për shkak sic u shpreh ajo të ruajtjes së ambientit.
Edhe përfaqësues nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare patën mendim të njëjtë sikur ajo Amerikane. Ndërsa, për këtë qëndrim të odave, deputeti nga PDK-ja, Lushtaku ka sfiduar këto oda se nëse ka ndonjë shtet në Evropë, do ta tërheqë këtë nismë ligjore.
Kjo iniciativë e deputetit Lushtaku gjeti përkrahje nga Shoqata e Kontrolleve Teknike në Kosovë.
Rrustem Nika nga kjo shoqatë theksoi se heqja e kufizimit të vjetërsisë së automjeteve nuk paraqet problem, por shtoi se sfiduese mbeten derivatet.