Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), e udhëhequr nga ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, javën e kaluar aranzhoi një sërë takimesh shumë të rëndësishme në Nju Jork dhe Uashington, për një delegacion të liderëve politikë të Luginës së Preshevës.
Delegacioni ishte në përbërje Shaip Kamberi, deputet dhe kryetar i PVD, Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit dhe kryetar i PD-së, Ardita Sinani, ish-kryetare e Komunës së Preshevës, dhe Ragmi Mustafa, ish-kryetar e ish-nënkryetar (së fundi) i Komunës së Preshevës dhe kryetar i PDSH-së.
Të hënën, në Uashington, delegacioni i Luginës së Preshevës u takua me kongresistin Jim McGovern, kryetar i Komitetit Kongresist për të Drejtat e Njeriut “Tom Lantos.”
Të martën, delegacioni u mirëprit në Departamentin e Shtetit të SHBA-së nga drejtori i Zyrës për Evropë Qendrore e Juglindore, Martin McDowell, në emër të zëvendës ndihmës sekretarit dhe të dërguarit special për Ballkanin Gabriel Escobar.
Bashkë me Joe DioGuardi e Shirley Cloyes DioGuardi, delegacioni mori pjesë në ngjarjen e 25-të vjetore të Asociacionit të ish-anëtarëve të Kongresit të SHBA-së “Statesmanship Awards Celebration,” të mërkurën në mbrëmje, më 8 qershor.
Në këtë ngjarje të rëndësisë se veçantë, delegacioni pati mundësi të takojë shumë kongresistë e senatorë, ndër më kryesorët, senatorin Tim Kaine, si dhe ish-kongresisten arbëreshe Connie Morella.
Ish-kongresisti Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për çështje të Ballkanit, thonë se spastrimi etnik nga ana e Beogradit përmes pasivizimit të adresave të shqiptarëve, vazhdimit të mungesës së zhvillimit ekonomik, si dhe rritjes së vazhdueshme të varfërisë, nuk mund të tolerohet më.
“Insistimi i Serbisë që të arrijë maksimumin e të drejtave për minoritetin serb në Kosovë derisa injoron totalisht edhe të drejtat më bazike njerëzore për minoritetin shqiptar në Luginën e Preshevës është një hipokrizi e qartë e cila duhet dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara edhe nga Bashkimi Evropian”, thonë ata.
Lugina e Preshevës është pjesë esenciale e kauzës kombëtare shqiptare. Evropa si e tërë mund të arrijë paqe dhe stabilitet afatgjatë vetëm kur shqiptarët etnikë në tokat e tyre autoktone në Luginë të Preshevës ndjehen të lirë, të barabartë, dhe ndajnë një vizion demokratik.
Liga Qytetare thotë se do të vazhdojë punën e vet në përkrahje të Luginës së Preshevës dhe do të bëjë çfarëdo që duhet për t’u siguruar që vëllezërit e motrat tona shqiptare në atë rajon as nuk harrohen e as nuk margjinalizohen tutje.