Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës Operacionale Vlorë kanë arrestuar një shtetas të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor antidrogë “Reset”, si rezultat i të cilit, në dhjetor 2023 u vunë në pranga shtatë shtetas dhe u sekuestruan 500 kg kanabis.
Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar shtetasit K. S., 48-vjeç, banues në Vlorë, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit e tjerë të ndaluar dhe të shpallur në kërkim gjatë këtij operacioni, përpunonin dhe më pas transportonin lëndë narkotike kanabis, në afërsi të vijës ujore, për ta transportuar më pas me rrugë detare, drejt Turqisë.
Gjatë këtij operacioni, policia sekuestroi 34 pako të madhësive të ndryshme, me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshe totale 500 kilogramë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.