“Lufta e papërfunduar” përballë hileve të Serbisë, Kurti: Kosova kërkon drejtësi
Lexohet për: 3 min.
ZKP ZKM 27 4 2024 (1)
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Ditën e Personave të Zhdukur me Dhunë, në Mejë u mbajt tubim përkujtimor organizuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur, Këshilli Koordinues i asociacionit të familjarëve të të zhdukurve të Kosovës dhe Shoqata “27 prilli 1999 Mejë”. Kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, vendosën buqetë me lule në kujtim të Nënës Pashke dhe bënë nderime te memoriali i ngritur në përkujtim të vrarëve në masakrën në Mejë.  Në kujtim të masakrës në Mejë dhe të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës, kryeministri Kurti tha se Serbia po vazhdon të mohojë e të fshehë krimet e kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë.

‘’Ndonëse lufta e armatosur dhe e përgjakshme në Kosovë përfundoi në qershor të vitit 1999, lufta për luftën e Kosovës, nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ajo vazhdon edhe sot. Në njërën anë është Serbia autokratike që përpiqet t’i fshehë dhe mohojë krimet e kryera prej saj në Kosovë, duke u ikur përgjegjësive për to. Kurse në anën tjetër është Kosova demokratike, që me shoqërinë dhe shtetin e saj e thotë të vërtetën për luftën e Kosovës, që nga vendet ku janë kryer krimet gjatë luftës sikur Meja dhe deri në instancat më të larta ndërkombëtare, sikur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara,” tha Kurti. Në historinë e luftës së Kosovës, kryeministri theksoi se masakra e kryer në Mejë dhe Korenicë më 27 prill 1999, është më e madhja.

“Atë ditë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në mesin e tyre edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. U vranë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhjeje, a feje. Këtu i kemi bashkë varret e myslimanëve e të katolikëve të vrarë vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë’’, u shpreh ai. Kurti foli për luftën speciale të shtetit të Serbisë për t’i përvetësuar, imponuar dhe dominuar narracionet për luftën e Kosovës. Përballë këtyre hileve të Serbisë me mashtrime, kryeministri theksoi se Kosova lufton në të drejtën e saj kundër propagandës së Serbisë, në beteja për të vërtetën historike të luftës së Kosovës dhe për adresimin e saj para drejtësisë.

“Siç e kemi fituar luftën në vitin 1999, me përpjekjet e paepura të popullit tonë, me betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe me mbështetjen e aleatëve tanë, ashtu do ta fitojmë edhe luftën për luftën e Kosovës, me të vërtetën historike, me drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës, të gjithë ne bashkë, shteti dhe populli i Kosovës, me miq dhe aleatë si dhe me vlerat tona të përbashkëta demokratike e perëndimore”, ka thënë Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024