Uria po përdoret si një armë lufte në Gaza, ka pohuar shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Ai e përshkroi mungesën e ndihmave që hynin në territor si një fatkeqësi "të krijuar nga njeriu".
Një anije spanjolle që transportonte furnizime ushqimore të nevojshme është nisur nga Qiproja për në Gaza, por OKB thotë se kjo nuk mund të zëvendësojë dërgimin e ndihmave nga toka.
Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork të martën, Borrell tha se kriza humanitare në territor ishte si rezultat i mungesës së rrugëve tokësore të qëndrueshme.
“Ndihma humanitare duhet të hyjë në Gaza dhe Bashkimi Evropian po punon me aq sa mundemi për ta bërë të mundur. Uria po përdoret si një krah lufte dhe kur ne e dënuam këtë që po ndodh në Ukrainë, duhet të përdorim të njëjtat fjalë për atë që po ndodh në Gaza."
Komentet e tij vijnë pasi OKB-ja paralajmëroi se të paktën 576.000 njerëz në Gaza - një e katërta e popullsisë - ishin një hap larg krizës së urisë.
Aktualisht në rrugë për të ndihmuar është anija spanjolle Open Arms, e cila u nis nga Larnaka pak para orës 09:00 (07:00 GMT) të martën me 200 ton furnizime ushqimore.
Lufta në Gaza filloi kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke kapur 253 pengje.
Pas shumë javë bisedime, duke përfshirë SHBA-në, Katarin dhe Egjiptin si ndërmjetës, nuk kanë arritur një armëpushim ose marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve. /BBC