Llapi: Vendimi i Komisionit Disiplinor i padrejtë dhe i pabazë
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Llapi: Vendimi i Komisionit Disiplinor i padrejtë dhe i pabazë
kf llapi (1)
17/04/2026 - 15:46
Linku u kopjua

 

Skuadra e Llapit ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Komisionit Disiplinor dhe Etikës, duke shprehur pakënaqësi të thellë dhe duke e cilësuar masën e shqiptuar si të marrë në mënyrë të ngutshme dhe pa u bazuar në fakte të plota.

Klubi nga Podujeva ka kundërshtuar sidomos cilësimin si “recidivist”, duke theksuar se nuk ka pasur raste të ngjashme disiplinore për një periudhë të gjatë kohore dhe se një kategorizim i tillë nuk përputhet me realitetin.

Në reagim, përmendet edhe incidenti i raportuar pas ndeshjes ndaj Drenicës, duke pretenduar se versioni i paraqitur në raportin e delegatit nuk përkon me njoftimin zyrtarë të Policisë së Kosovës në Podujevë. Sipas klubit, incidenti ka ndodhur jashtë stadiumit dhe është përfshirë vetëm një person i vetëm, i cili është arrestuar menjëherë për dëmtim prone, duke hedhur poshtë pretendimet për sulm nga tifogrupi “Legjendat”.

“Sipas njoftimit zyrtar të policisë, pas përfundimit të ndeshjes, tifozët mysafirë janë përcjellë nga policia dhe incidenti ka ndodhur larg stadiumit, ku një person i vetëm ka gjuajtur me një shishe parfumi duke dëmtuar xhamin e autobusit. I dyshuari është arrestuar menjëherë dhe ndaj tij është iniciuar procedurë për dëmtim apo asgjësim prone” – shkruhet në reagim.

Klubi pranon se ka pasur disa incidente të izoluara me hedhje mjetesh në fushë, por thekson se situata ka qenë nën kontroll të policisë dhe nuk ka rezultuar me të lënduar. Llapi shton se tifozët vendas kanë qenë të ndaluar nga policia në momentin e largimit të ekipit mysafir dhe nuk kanë pasur kontakt me incidentin e pretenduar.

Në përfundim, Llapi ka bërë të ditur se ka ushtruar ankesë ndaj vendimit dhe pret shqyrtim të drejtë nga organet kompetente, duke kërkuar anulimin e masës së shqiptuar dhe lejimin e zhvillimit të ndeshjeve me praninë e tifozëve.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026