Klubi i Futbollit Prishtina vazhdon që t’i ofrojë disa nga ish-yjet e skuadrës, të cilët ndër vite kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për ekipin “bardhekaltër”.
Liridon Kukaj është personi i radhës që është rikthyer në skuadër, kësaj radhe pak metra larg fushës së gjelbër, në pozitën e trajnerit të FC Prishtinës U19.
39-vjeçari te Prishtina do ta zëvendësojë trajnerin Agim Maliqi, i cili i është bashkuar stafit të Ismet Munishit te skuadra e parë. Kukaj në stinorin e kaluar punoi si ndihmës i Bekim Shotani te FC Drenica.
Krahas Prishtinës ai do ta vazhdojë angazhimin edhe si ndihmës i Afrim Tovërlanit te Përfaqësuesja e Kosovës U-19.
“Doni” vite më parë ka qenë një ndër mbrojtësit më të mirë në Kosovë, derisa te FC Prishtina gjatë qëndrimit për pesë-vjeçar e ka fituar titullin e kampionit, Kupën e Kosovës dhe Superkupën.
Kukaj ka regjistruar me Prishtinën 185 ndeshje zyrtare në tri gara, duke shënuar edhe 12 gola kampional.