Liqeni i Shkodrës në Shqipëri, i konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, vijon të zgjojë kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër bëri të ditur sot për ATSH-në se “Liqeni i Shkodrës gjatë muajit gusht u vizitua nga 39 mijë e 500 turistë, nga të cilët 18 mijë e 500 vendas e 20 mijë të huaj”, transmeton KosovaPress.
Ndërkohë që ndër pikat turistike më të vizituara në liqen janë Shiroka, Zogaj, “Syri i Sheganit” etj.
Sipas ADZM Shkodër, një tjetër atraksion që vijon të tërheqë vizitorët është edhe vrojtimi i shpendëve.
Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë.
Fauna e liqenit është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.