Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport kanë mbajtur sot tryezën për sport, e katërta me radhë, ku është paraqitur drafti fillestar i Projektligjit për Sport si dhe drafti final i Strategjisë për Sport.
Me propozimet e shumta nga përfaqësues të federatave sportive këto dy koncept dokumente po cilësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen e sportit dhe zhvillimin e tij në Kosovë.
“Tashmë është dëshmuar disa herë që sa herë që talentëve tanë iu jepet mundësia ata bëhen edhe më të mirët në botë. Çfarë të gjithë ne e kemi obligim dhe duhet të krijojmë mundësi për të rinjtë tanë, mundësinë për të qenë të shëndetshëm përmes aktivitetit sportiv, mundësinë për ta zhvilluar maksimalisht talentin në sport, mundësinë për t’u angazhuar në sport çoftë si mjek, administrator apo trajner sepse ne e dimë që nevojitet jo vetëm një infrastrukturë fizike e materiale, por edhe një mbështetje e madhe njerëzore për secilin sportist”, tha Kurti.
Madje ai tha se edhe vet po e përdor sportin si mënyrë për ta hequr stresin nga punët e përditshme si udhëheqës i Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu deklaroi se fakti që po dëgjohet zëri i komunitetit të sportit në hartimin e ligjeve të reja është shumë i rëndësishëm.
Gjatë tryezës është diskutuar edhe për hapat që Kosova duhet t’i ndërmarr për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, sidomos në ndërtimin e infrastrukturës sportive.