Është publikuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovës. E njëjta pritet të hyjë në fuqi më 15 maj të këtij viti ndërsa kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e Zonës Schengen nga 1 janari 2024.
Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill në selinë e Parlamentit Evropian.Për miratimin e këtij vendimi nuk ka pasur asnjë kundërshtim.
Pas liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë deri në 90 ditë, në një periudhë brenda gjashtë muajsh, në të gjitha shtetet që janë anëtare në zonën Schengen.
Komisioni Evropian kishte konfirmuar në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për lëvizje të lirë.
Megjithatë, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që ende nuk mund të lëvizin pa viza në Schengen.