Me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka dërguar telegram ngushëllimi.
“Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional. Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe”, thuhet në telegramin e LDK-së.
“Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë. Kadare, ka fituar çmime dhe njohje të panumërta për mjeshtërinë e tij në letërsi, e po ashtu ai ishte përmendur shumë herë edhe si kandidat potencial për Çmimin Nobel në Letërsi”, është thënë në telegram ngushëllimi.
Kadare sipas LDK-së do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë.
Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë. Dritë pastë shpirti i tij!”, përfundon telegrami i ngushëllimit.