Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, sot ka kërkuar që të shkarkohet ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Kërkesë tjetër e LDK-së në rastin e Martin Berishajt është edhe që Prokuroria e shtetit të zhvillojë hetime në detaje të qarkullimit të parasë së kompanisë së Martin Berishajt, duke i përfshirë në hetim edhe kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Jashtme, Donika Gërvalla-Shwartz.
Sipas kësaj partie, rasti i fundit i ambasadorit Berishaj ka dërguar mesazh të qartë në çdo cep të botës që sipas tyre, Qeveria Kurti është e korruptuar dhe lufton ditë e natë, jo kundër korrupsionit dhe të korruptuarve, por sipas LDK-së, krah për krah me korrupsionin dhe të korruptuarit.
“Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë z. Martin Berishaj tash e sa muaj sipas medieve sllovene dhe kroate gjendet në qendër të një skandali të madh financiar me përmasa ballkanike. Siç jeni në dijeni së fundmi gazeta sllovene ka botuar një hulumtim të gjatë, ku hulumtohen lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt me kompaninë sllovene GEN-i. Sipas këtij hulumtimi hidhen dyshime se përmes Ambasadorit Martin Berishaj, është financuar fushata elektorale e Albin Kurtit, nga paratë e kompanisë sllovene “GEN”, me filialet e saja në Beograd, Sarajevë e Tiranë. Pretendimet e tilla z. Berishaj i kishte cilësuar si shpifje dhe kishte paralajmëruar padi. Megjithatë shqetësimin tonë e rrit fakti se dje në medie u raportua se padia e Martin Berishajt ndaj mediumit “Planet TV” dhe gazetarit që raportoi mbi dyshimet për përfshirjen e tij në një aferë financiare, është hedhur poshtë nga Gjykata e Qarkut në Lubjanë, e cila tha se lënda ka pushuar pa efekte juridike.”, ka bërë të ditur LDK përmes komunikatës.
Berishaj ka shkruar se gjykata ende nuk e ka pranuar padinë për shqyrtim. “Shpifja nuk kalon! Për çështjen penale në fjalë është ngritur padia ime private kundër gazetarit slloven i cili me dt 21.04.2022 shpifi kundër meje, por Gjykata e Qarkut në Lubjanë ende nuk e ka pranuar padinë për shqyrtim për shkak se procedura e ankimimit ende nuk ka përfunduar.”, ka shkruar ai në Facebook.
Në prill të vitit të kaluar emri i ambasadorit Martin Berishaj ka qenë i përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Lubjanë.