Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimin e lartë të naftës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, kritikoi qeverinë, siç tha, për neglizhencë në këtë drejtim.
Lushaku pas mbledhjes së Kryesisë foli edhe për zgjedhjen e presidentit, ku shtoi se përgjegjësia kryesore për këtë proces bie mbi LVV-në.
“Të jemi bashkëpunues dhe të marrim pjesë në dialog. Është tepër e rëndësishme që në këtë fazë Kosovës t’i jepen institucione funksionale dhe mos të cenohet për asnjë çast funksionaliteti i shtetit tonë. Ne do të japim kontributin për aq sa është përgjegjësia jonë, por përgjegjësinë kryesore e bart partia më e madhe që ka numrin më të madh të deputetëve dhe pa të cilin nuk mund të zgjidhet presidenti. Nëse vullneti i tyre është që të ketë një zgjidhje, do të kemi; nëse jo, Kosovës i mbetet të shkojë drejt zgjedhjeve, për çka LDK-ja është e bashkuar dhe unike për zgjedhje”, shtoi ajo.