LDK: Draft-statusi i Asociacionit krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës
Lexohet për: 2 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryesia e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vlerësuar se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues.

Kryesia në mbledhjen e saj të parë, diskutoi për planin e punës, planin organizativ të partisë, si dhe për çështjet politike kryesore të vendit.

Në lidhje me procesin e dialogut, Kryesia vlerëson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues.

“Ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial të tij. LDK-ja vlerëson se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i domosdoshëm dhe vendimtar dhe pret që kjo gjykatë të veprojë në përputhshmëri me normën kushtetuese, kurdo që ta trajtojë këtë dokument. LDK-ja konsideron se ky dokument është pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera drejtuese të vendit, si dhe e moskoordinimit me aleatët tanë në fazat më kritike për vendin. LDK-ja beson fort se koordinimi me kohë i veprimeve me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, është jetik për funksionimin dhe të ardhmen e vendit tonë. LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024