LDK dënon gjuhën e Haxhiut: S’ka kredibilitet, prokurorët të mos dorëzohen
Lexohet për: 3 min.
ldk
1 vit më parë
Linku u kopjua

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj gjuhës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Iliaz Beqiri, të përdorur të premten në seancën gjyqësore ndaj saj, në të cilën akuzohet për hedhje të gazit.

Haxhiu i kërkoi prokurorit që të dorëzohet dhe të tërhiqet nga aktakuza, pasi mungon ekspertiza dhe faktet për gazin lotsjellës.

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, tha se Haxhiu nuk e ka kredibilitetin për të udhëhequr me një institucion që synon të hartojë e zbatojë vettingun në drejtësi dhe një person që kërkon nga prokurorët të dorëzohen.

Kica Xhelili tha se kjo nuk është hera e parë që Haxhiu kërcënon dhe intimidon të tjerët dhe shtoi se druan që nuk do të jetë as e fundit.

“Nuk ka aspak rëndësi në çfarë cilësie foli sepse ajo tashmë disa herë në këtë qeveri ka dëshmuar që nuk ka aftësi ta zhveshë petkun personal e as atë të akuzuarës, kur hynë në ministri e në Kuvend, harron që është në institucion, fyen, kërcënon, intimidon dhe jo vetëm ajo, ajo e të tjerët”, tha deputetja e LDK-së.

Kica Xhelili tha se Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar ndryshime e pavarësi të gjyqësorit e mbështetje financiare për sistemin e drejtësisë, ashtu sikurse është premtuar për ministra pa aktakuza, por që, sipas saj, realiteti po dëshmon të kundërtën.

Ajo shtoi se një ministre që i kërkon prokurorëve dorëzim, duhet të jetë e para që dorëzohet dhe të largohet nga drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë.

“Një ministre e Drejtësisë e cila i kërkon drejtësisë dorëzim duhet të dorëzohet vetë ose të shkarkohet. Ajo nuk ka kredibilitet të udhëheq me sektorin e drejtësisë. Nga sot e tutje dhe çdo ditë që ajo vazhdon ta ketë këtë pozitë ndërhyrja në sistemin e drejtësisë do ta mbajë emrin e kryeministrit. Kosova ka nevojë për prokurorë që nuk dorëzohen, posaçërisht kur kërcënohen nga njerëz të pushtetit, qofsh Elez, qofshin Lumez, prokurorët kërcënimin nuk e kanë për herë të parë, e frikësohem që nuk do të jetë sa hera e fundit”, vijoi Kica Xhelili.

Megjithatë, Kica Xhelili tha se thirrja për shkarkim nuk do të merret parasysh, pati një apel për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët.

“Asnjë shtet demokratik nuk do ta lejonte një individ kaq përçarës e të paaftë ta degradojë emrin e drejtësisë, asnjë. Duke qenë se thirrjet për shkarkime janë thirrje në vesh të shurdhër, kemi thirrje tjetër për të gjithë akterët në sistemin e drejtësisë: Nuk jeni vetëm! Dhe për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës: Mos u dorëzoni!”, përfundoi Kica Xhelili.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024