Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) konsideron se Qeveria Kurti nuk ka dije minimale, vizion, kapacitet e plan për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, duke iu referuar faturave të larta të energjisë elektrike. Ata thonë se LDK-ja është partia e vetme që ka vizion e program specifik për ta përmirësuar këtë situatë.
Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi tha se për shkak të paaftësisë së Qeverisë Kurti, qytetarët po detyrohen të paguajnë shifra marramendëse e të pa përballueshme të faturat e energjisë elektrike.
Tutje, ai tha se kjo qeveri nuk ka përvojë për ta zgjidhur problemin me energjinë elektrike, derisa kritikoi ministren e ekonomisë, Artane Rizvanollin, lidhur me vendimet e marra për projektet që kanë të bëjnë me energjinë elektrike.
Azemi theksoi se qeveria nuk po bën asgjë në përmbushjen e synimit që Kosova deri në vitin 2031 të përmbushë 30 për qind të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.
Sipas tij, ndërtimi i centralit me gazin amerikan, rehabilitimi i mirëfilltë i centralit Kosova B, përqendrimi tek energjia e ripërtëritshme, ulja e TVSh-së në zero për qind për faturat e energjisë elektrike, e të tjera do të ishin veprimet që do të kishte bërë LDK-ja, për ta zgjidhur këtë çështje.
Azemi e ftoi publikisht në një debat ministren e ekonomisë Artane Rizvanolli për të biseduar rreth kësaj gjendje. /Z.Zeneli/