LDK akuzon VV-në për qeverisje në Gjilan, Haziri: Avaritë dhe shkeljet nuk kanë të ndalur
Lexohet për: 3 min.
LDK, Lutfi Haziri
1 vit më parë
Linku u kopjua

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Gjilan ka akuzuar VV-në për avaritë dhe shkeljet në institucionet e Komunës së Gjilanit, të cilat sipas këtij subjekti politik nuk kanë të ndalur.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri thekson se fatkeqësisht partia në pushtet në këtë rast, LVV po administron në këtë komunë pa asnjë procedurë ligjore.

“Shkeljet në institucionet tona komunale duket se nuk kanë të ndalur. Avaritë në këto institucione kanë shkuar deri në atë pikë sa që pa asnjë procedurë të prokurimit e procedurë ligjore, të blihen mjete të vjetra në vlerë prej 200.000€. Me këtë rast, Komuna e Gjilanit ndërhyn në punët e ndërmarrjes publike “Ecohigjiena”, duke bartur kështu përgjegjësi shtesë në ndërmarrjen “Tregu”, e cila është mbingarkuar me punë. Anashkalimi i ndërmarrjeve, në të ardhmen do të tregojë qartë se humbës në këtë mes janë vetëm Komuna e Gjilanit dhe qytetarët e saj, ngaqë 49% të aseteve janë publike”, citohet në komunikatë Haziri të ketë thënë në konferencën për media.

Si rezultat i keqmenaxhimit, ai ka thënë se sot ka rrugë në gjendje të tmerrshme e varreza në gjendje të mjerueshme, të cilat nuk po mirëmbahen as minimalisht siç do të duhej të mirëmbaheshin.

LDK në Gjilan ka akuzuar komunën edhe për shkeljet lidhur me punësimet.  

“Shkalla e papunësisë po “zbutet” edhe më tej me kontrata në vepër, ku sot janë mbi 49 zyrtarë me kontrata të tilla, e shumica prej tyre me shkollim të mesëm. Nuk po flasim për projekte të mëdha që këta duhet t’i sjellin. Po flasim për vazhdim të projekteve të cilat janë nisur nga qeveritë e kaluara, e presim të vazhdohen e të përfundohen nga qeveritë e tanishme qendrore dhe lokale”, thuhet në njoftimin e LDK-së.  

Sipas LDK-së, e vetmja risi ka ndodhur për autostradën e Gjilanit, është se shtyllat e ndriçimit janë blerë nga Serbia.

“Puna në shumë lote ka stagnuar, e datat e përfolura për përfundimin e saj vetëm po afrohen, kurse në teren nuk po shihet dritë e bardhë në fund të tunelit. Kosto e përgjithshme e autostradës pritet të rritet për 7% , e arsye për këtë rritje nuk ka dhënë askush”, thuhet në komunikatë.  

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024