Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi kërkon marrëveshje urgjente në mes të qeverisë dhe sindikatave në mënyrë që të ndërpritet greva. Veprimin me mosekzekutimin e rrogave e quan pamaturi të qeverisë, ndërsa shton se ekzekutivi duhet të garantojë që të drejtat e sindikatave do të respektohen, pasi mosdhënia e rrogave po dërgohen mesazhe të rrezikshme.
Kryetari i Rahovecit, komunë kjo që udhëhiqet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bën të ditur se në takimin urgjent të mbajtur me Asociacionin e Komunave të Kosovës, kanë kërkuar që t’i jepet fund situatës aktuale të cilën Latifi e quan lojë të paqartë.
Latifi thotë se grevat po e vështirësojnë punën edhe në komunë, meqë shërbimet janë tejet të kufizuara. Ndërsa kundërshton qeverinë për mosekzekutimin e pagave.
“(Mos ekzekutimi i pagave) Është pamaturi, pa nevojë, ne nuk kemi nevojë në këtë krizë globale të krijojmë situata ose të rrugëtojmë përmes konfrontimeve sepse nuk ka ecje përpara përmes konfrontimeve dhe nuk besoj që qeveria ka arsye me zgjedh rrugën e konfornimit me sindikatat… Kjo nuk ka ndodh më herët, janë disa befasi të hidhura që as ne nuk i kemi pritë, e di që ndoshta ata do t’i ekzekutojnë pagat, mirëpo këso ekzekutime të pjesshme të pagave natyrisht që përmbajnë edhe shqetësimet e veta, këto shqetësime që i kanë 800 e sa mësimdhënës, vetëm mësimdhënës të Komunës së Rahovecit e mbi 170 zyrtarë të administratës, përfshirë edhe stafin politik sepse as mua nuk më ka dalë rroga, askujt nuk i ka dalë rroga e tash ne të gjithë kemi familje, që unë nuk po flas për vetën por në një situatë të tillë kur kriza po merr dimensione shumë serioze, kur ka edhe krizë besimi në institucione, kur qytetarët tanë ose po duan të bëjnë termin për vizë, ose po largohen nga vendi, ose po bëjnë lobime qysh me gjet një zgjidhje më të mire jashtë Kosovës, e në situata të tilla, Qeveria e Kosovës nuk është mirë me i mbajt 750 milionë euro në arkë por duhet me i futë në qarkullim dhe natyrisht me i destinu në prioritet që ata e dinë të cilat janë jetike”, ka thënë Latifi.
“Qeveria duhet me pas vëmendje të shtuar dhe ka përgjegjësi që dialogu social me sindikatat me u intensifiku dhe përfundimisht me i dhënë zgjidhje urgjente sepse nuk e di ku shërben kaosi në këtë krizë edhe ashtu të thellë globale e që në Kosovë përkthehet si krizë edhe më e rëndë, nuk e di cili është interesi por unë si kryetar komune kërkoj që me i dhënë fund kësaj loje e cila mundet edhe me dërgu mesazhe të rreziqeve, sepse nëse paralizohet administrata, arsimi e shëndetësia, atëherë nuk e di se çka po na mbetet. Qeveria duhet të reflektojë dhe duhet ta di që në raport me sindikatat që përfaqësojnë anëtarësi të gjerë që pastaj implikojnë direkt edhe qytetarët, duhet ta zgjedhë shtegun e marrëveshjes, dialogut social dhe nxjerrjes së konkluzioneve që nënkuptojnë zgjidhje, zgjidhje urgjente”, thotë ai.
Latifi thotë se i mirëkupton kërkesat e grevistëve marrë parasysh rritjen e çmimeve dhe krizën globale.