Latifi-Jashari dorëhiqet nga pozita e U.D zëvendësguvernatores në BQK
Ushtruesja e detyrës së zëvendësguvernatores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Nora Latifi-Jashari ka dhënë dorëheqje të hënën nga kjo pozitë.
Sipas burimeve të Kosovapress, Latifi-Jashari ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, kurse nuk është dorëhequr nga Bordi jo-ekzekutiv i BQK-së.
“Latifi-Jashari është e angazhuar edhe në Institutin GAP dhe se ky institucion i ka kërkuar që të vendos nëse dëshiron të angazhohet në GAP. Ka pasur afat deri më 15 maj qe të vendos nëse do të do të vazhdojë punën atje dhe ajo sot ka dhënë dorëheqje vetëm nga pozita e U.D e zëvendësguvernatorit. Ajo vazhdon të mbetet anëtare në Bordin jo ekzekutiv të BQK-së”, thekson ky burim.
Megjithatë, BQK-ja vazhdon të mbetet pa guvernator nga data 29 mars e këtij viti, dhe se procesi i përzgjedhjes në këtë pozitë tashmë është kthyer në pikën zero.
Paneli i BQK-së e kishte dërguar në Kuvendin e Kosovës listën me katër kandidatë për ta marrë pozitën e guvernatorit e që ishin Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli e Shkëndije Himaj.
Kuvendi i Kosovës ditë më parë ka zgjedhur Arta Hoxhën anëtare jo-ekzekutive të Bordit të BQK-së.