Latifi: Dalja publike e UÇK-së në Pashtrik ndryshoi historinë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Me rastin e shënimit të 25-vjetorit të daljes publike të UÇK-së në zonën Operative të Pashtrikut, Komuna e Rahovecit ka organizuar manifestim në fshatin Drenoc, me ç’rast u tha se ngjarje si kjo ndryshuan historinë dhe hartën e botës.
I pari i kësaj komune, Smajl Latifi, derisa foli për luftën çlirimtare të UÇK-së, tha se nga gjaku i të rënëve për liri është fituar liria që e gëzon sot vendi.
"Lufta jonë çlirimtare mori përmasa kombëtare dhe s'kishte si të ishte ndryshe, sepse shqiptarët ndjejnë të njëjtën dashuri për atdheun, pavarësisht se ku jetojnë. Bijat dhe bijtë e këtij vendi u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe në forma të ndryshme kontribuuan për të mirën e përgjithshme. Dhe natyrisht, lufta ka edhe pasojat që lënë gjurmë në jetët e njerëzve, por edhe gjurmë në histori. Dalja e UÇK-së me 26 prill e më pas beteja parë dhe ajo me 14 maj, si dhe ato të tjerat, i dhanë kësaj lufte tjetër dimension. Toka u stolis me varre, por nga ai gjak është liria që po shijojmë sot. Ngjarjet si kjo na bëjnë te ndjehemi krenar që i takuam asaj epoke të lavdishme, epokës që ndryshoi historinë dhe jo vetëm atë shqiptare, por edhe hartën e botës", tha Latifi.
Latifi mes tjerash përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, për çka tha se akuzat ndja tyre janë të pa baza e vijnë nga Beogradi.
Publicisti dhe mbledhësi i fakteve të dëshmive historike, Qemajl Krasniqi derisa kujtoi gjithë të rënët për liri tha se falë tyre Drenoci nuk ra por u bë çerdhe prej nga hynin e dilnin luftëtarët e lirisë nga të gjitha trojet shqiptare.
E përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, duke folur për luftën e UÇK-së, apeloi krerët shtetërorë që për ta të kërkojnë drejtësi nga instancat ndërkombëtare të drejtësisë.
Ai tha se dëshmorët e lirisë janë figura të ndritshme të vendit.