Të gjitha barrikadat që u vendosën pasditen e së dielës në veri të vendit janë larguar. Edhe kamioni i fundit që ishte mbi urën afër pikëkalimit kufitar në Bërnjaku, e që sipas policisë ishte me defekt, është larguar. Tashmë pengesë për qarkullimin e plotë të lirë është një ekskavator që thuhet se është me defekt.
Gjithsesi, qarkullimi i vështirësuar po vijon për shkak të ekskavatorit, ndërsa në rrugë ka prezencë më të shtuar të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë.
Heqja e të gjitha barrikadave është kusht i Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të vendimit të reciprocitetit të letërnjoftimeve dhe të konvertimit të targave që lëshohen nga autoritetet serbe në RKS.
Ndërsa, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se së bashku me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe ato ndërkombëtar, po monitoron nga afër situatën në veri të vendit.