Kompania OneFor Holding GmbH, me bazë në Dusseldorf të Gjermanisë, ka lansuar zyrtarisht aplikacionin për shërbime financiare moderne për qytetarët e Kosovës, “OneFor”. Kosova është bërë destinacioni i radhës që kjo kompani e ka futur në hartën e shteteve krahas atyre të Bashkimit Evropian, për të ofruar aplikacionin më të avancuar për shërbime financiare digjitale, ku regjistrimi zgjat vetëm pak minuta.
Drejtori menaxhues i kësaj platforme, Ilir Aliu, tha se synimi i “OneFor” është të përfshijnë rajonin por gjithashtu edhe në nivelin ndërkombëtar.
"Jemi kompani e re ne Kosovë por edhe në BE. Ne filluam operacionet tona në 2021 në 13 shtete të BE-së, mirëpo fokusin e kemi në shtetet fillimisht gjermanofolse. Në të njëjtën kohe ne jemi prezent edhe në 9 shtete jashtë EU-së. Synimi jonë është që të përfshijmë rajonin në Ballkanin por gjithashtu tutje në nivel ndërkombëtar. Jemi për shërbime digjitale financiare...Ne mendojmë se Kosova ka pasur zhvillime të jashtëzakonshme teknologjike dhe ka potencial të jashtëzakonshme të përqafojë zhvillimet e reja në shërbimet digjitale financiare, sepse ka katër parakushte që mbërrin e besoj edhe i tejkalon. Platforma OneFor si hap i parë është gjithë përfshirja, te ne numër një, çdo kush që hap platformën tonë është i gjithëpërfshirës ne pagesat lokale, përmes bankave partnere që kemi, por gjithashtu edhe në pagesat evropiane. Me pesë hapa, hapet llogaria, me tre hapa bëhet çdo operacion tjetër, pra çdo gjë bëhet me kanale digjitale, siguria është e rëndësishme, ne i përmbushim të gjitha kërkesat e bashkësisë evropiane”, tha Aliu.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai u shpreh i kënaqur që “OneFor” tashmë është edhe në Kosovë.
"Është kënaqësi të jem këtu në lansimin e një aplikacioni të pagesave i cili i shfrytëzon edhe avantazhet e të qenit online. Deri më tani ka pasur raste të zhvillimit të hovshëm të teknologjisë informative në vendin tonë, mirëpo ka pasur shumë pak raste kur kjo është shfrytëzuar për të avancuar tutje fushat e caktuara. Shfrytëzimi i kësaj metode e lehtëson dhe e bënë më të lirë, me të shpejt edhe transferet online por edhe pagesat gjë që edhe për mua si ministër i Financave dhe si qeveri është tepër e rëndësishme sepse nënkupton likuiditet më të lartë në sistemin financiar por njëkohësisht edhe formalizmin më të lartë. Pra, çdo transaksion mund të përcillet dhe duhet të paguhet edhe tatim për të”, tha Murati.
Ndërsa, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismajli, tha se BQK-ja ka marr veprime sa i përket kornizës ligjore për t’i licencuar këto institucione financiare jo bankare.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad, tha se “OneFor”, një institucion gjerman jo-bankar që po hyn në tregun kosovar, premton digjitalizim e thjeshtësim të remitencave dhe shërbimeve të pagesave.
"OneFor është një investim i jashtëzakonshëm gjerman këtu në Kosovë. Gjermania nuk është vetëm partneri më i rëndësishëm tregtar i Kosovës, është donator i madh financiar, me shërbimet më të mëdha në Kosovë dhe investitorët më të mëdhenj të huaj të drejtpërdrejtë. Dhe më vjen mirë të them se ky trend i investimeve të huaja direkte nga Gjermania është në rritje gjatë viteve të fundit, dhe paraqet një faktor kyç të rritjes në ekonominë kosovare. Përveç kësaj, Gjermania ka diasporën më të madhe kosovare e cila përbën një pjesë shumë të madhe të remitancave, rreth 40%, dhe të gjitha këto fakte dhe shifra janë një lajm shumë i mirë për produktin tuaj. Me OneFor, një institucion gjerman jo-bankar që po hyn në tregun kosovar, premton digjitalizim dhe thjeshtësim të remitencave dhe shërbimeve të pagesave. Ju keni vërtetuar se Kosova ka shumë për të ofruar me popullatën e saj dinamike, të talentuar dhe pro-evropiane”, tha Conrad.
Ndërsa përdoruesit e aplikacionit menjëherë furnizohen me eWallet (kuletën digjitale) së bashku me një kartelë Mastercard ndërkombëtare që mundëson pagesa të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
“OneFor” është një investim gjerman në Kosovë, ndërsa në Bashkimin Evropian është aktive qysh nga viti 2021.