Lajmet për luftën e fundit në Kosovë, e ato për komunitetin serb në Kosovë, në mediat tona e serbe janë ato të cilat po frikësojnë çdo herë.
Në Samitin e Kosovës për Paqe dhe Demokraci, (KPDS), është thënë se këto lloj dezinformatash janë përhapur në disa vende specifike që kanë qëndrim jo pozitiv ndaj Kosovës e mosnjohjes së saj.
“Në rastin tonë ne kishim narrativa të ndryshme false që synonin ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe e paraqiste atë si diçka që nuk ishte humanitare dhe për këtë, ne kemi parë narrativa të ndryshme në kanale të ndryshme në gjuhë të ndryshme gjithashtu, duke shkuar deri në Afrikën e Jugut, dhe jo vetëm në Evropë. Refugjatët shqiptarë janë paraqitur si viktima të NATO-s dhe gjëra të tilla. Dhe zakonisht ato lloj propagandash, ato lloj dezinformatash janë përhapur në disa vende specifike që kanë qëndrim jo shumë pozitiv ndaj Kosovës, mosnjohjes së Kosovës”, ka thënë Gërguri.
Ndërsa, kryeredaktorja në “Alternativna”, Ana Marija Ivkoviq ka theksuar se “Alternativna” ka monitoruar mediat serbe dhe shqiptare nga dhjetori 2023 deri në maj 2024, me të cilën kanë parë se pas rastit të Banjskës, ka pasur përshkallëzim të fushatave dezinformuese brenda mediave.
“Ne kemi monitoruar për gjashtë muaj nga dhjetori 2023 deri në maj 2024, jo vetëm mediat serbe, tabloidet serbe dhe mediat pro regjimit, por kemi ndjekur edhe mediat shqiptare të Kosovës për tema të caktuara, që janë marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe tema që kanë të bëjnë ekskluzivisht me komunitetin serb të Kosovës. Ajo që kemi parë është se në njëfarë mënyre, sidomos pas sulmit në Banjska, kemi pasur përshkallëzim të fushatave dezinformuese brenda mediave. Pra, në janar kemi pasur një agjenci të njohur, e cila ka raportuar në natën e Krishtlindjeve ortodokse se, po citoj këtë "shërbimet sekrete serbe po planifikojnë sulm terrorist ndaj serbëve në Kosovë". Jo vetëm se ky artikull u publikua, por ky artikull u ripublikua edhe nga media të tjera”, ka shtuar Ivkoviq.
Po ashtu, drejtoresha e programit në “ Zašto Ne”, Tijana Cvijetiqanin ka theksuar se arsyeja e publikimit të lajmeve të rreme janë sfidat që kanë mediat. E kjo po bëhet për klikime.
Në panelin e fundit të këtij samiti do të flitet për sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor: tendencat aktuale dhe drejtimet e ardhshme./A.Shala/