Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka mirëpritur nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever.
Lajçak ka shkruar në X, se ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përndryshe, Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë - EPS (Elektroprivreda Srbije), por në vendin tonë është themeluar me ligje të Kosovës dhe është paraparë të bëjë furnizimin dhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës.
Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor 2022.