Ky është mesfushori 60 milionësh që pritet t’i bashkohet Barcelonës
Mesfushori i RB Leipzig, Dani Olmo, ka të ngjarë t'i bashkohet skuadrës spanjolle të Barcelonës në verën e vitit 2024 sipas “Sport Bild”.
Gjatë pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare, drejtori sportiv i RB Leipzig, Rouven Schröder dhe bordi kanë diskutuar për të ardhmen e klubit, i cili përfshin transferime të ndryshme.
Leipzig shiti 240 milionë euro lojtarë në afatin kalimtar veror, megjithatë, është raportuar se ata do të duhet të shesin edhe shumë lojtarë të tjerë në mënyrë që të mbulojnë kostot e infrastrukturës dhe pagave.
Olmo pritet të kthehet në skuadrën e Leipzig kur të përfundojë pushimi ndërkombëtar pasi pësoi një dëmtim në gju më shumë se një muaj më parë, përcjellë KosovaPress.
Spanjolli pati një fillim të mirë të sezonit kur shënoi një hat-trick në ndeshjen e Superkupës së DFL kundër Bayern Munih dhe më pas shënoi dy gola në tri ndeshje në Bundesligë.
Barcelona e ka admiruar Olmon për një kohë të gjatë dhe ka rritur interesin e saj për të tani që klauzola e tij e largimit do të hyjë në fuqi në vitin 2024. Shuma e klauzolës varet nga destinacioni i Olmos, megjithatë nëse është Barcelona ajo që fiton garën për nënshkrimin e tij, shuma do të jetë rreth 60 milionë euro.