Deputetët e Kuvendit të Kosovës të enjten do të shqyrtojnë Projektligjin për mbështetjen e punëve publike dhe Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore.
Dy projektligjet sipas partisë në pushtet do të kompensojnë kontratat publike, rrjedhimisht nxisin investimet kapitale, derisa edhe do të vendosen çmimet tavan për produktet e listës esenciale. Mirëpo, partitë opozitare thanë se projektligjet kanë probleme, madje mund edhe kushtetuese.“Pika e parë është shqyrtimi i Projektligjit për mbështetjen e punëve publike. Projektligj ky që parasheh kompensimin, konform normës së inflacionit prej muajit prill të këtij viti për gjitha kontratat publike. Kjo është dorëzuar në Kuvend dy javë më parë dhe tashmë ka plotësuar gjitha kushtet që të hyjë në seancë të rregullt. Projektligji i dytë është ai për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Edhe ky Projektligj parasheh vendosjen e një çmimi tavan për produktet e listës esenciale...ishte dakordim i grupeve parlamentare që seancat e së enjtes mos t’i ketë dy pikat e rregullta, deklarimin jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare në mënyrë të ekonomizimit të kohës. Pasi menjëherë pas trajtimit të pikave të lartpërmendura do të hyjmë në shqyrtimin e pikave të mbetura që nga seanca e 4 gushtit”, tha ai.
Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se mos efikasiteti i Qeverisë së Kosovës ka sjellë dështimin në investimet kapitale.
Tahiri kritika shfaqi edhe për Projektligjin për çmimet tavan, për të cilin tha se nuk i analizuar mirë dhe që bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
“Këtë gjendje e ka shkaktuar mos efikasiteti i duhur i kësaj qeverie në mosrealizimin e projekteve që ne i kemi bërë thirrje që të realizohen ato që kanë qenë në kuadër të buxhetit me investime kapitale. Po ashtu, na shqetëson fakti se një projektligj i tillë nuk është konsultuar me Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kemi organizata buxhetore lokale që kanë kontraktuar punë publike dhe është e papranueshme që një projektligj i tillë të vijë në Kuvend pa u konsultuar me të gjitha komunat. Në tërësi do të diskutojmë në seancë përmbajtjen e këtij projektligji, por janë disa çështje që duhet të ndërhyhet për të parë se çfarë mekanizmi duhet të ndërtojmë për implementimin e këtij projektligji... Ndërsa, projektligji i dytë që është mjaft problematik, është shqyrtimi i parë për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Po flasim për një projektligj që i jep mundësi qeverisë të ndërhyrje në treg në përcaktimin e çmimeve të disa produkteve. Kemi të bëjmë me një projektligj që nuk i është bërë një analizë e mirë. Po ashtu në disa raste bie ndesh edhe me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Tahiri.
“Komunat janë peng i mosveprimit të qeverisë dhe ligji në Kuvend është sjell pa konsultim me organizatat buxhetore në veçanti me komunat. Ne kërkojmë urgjentisht të zhbllokohen fondet për investime kapitale dhe të vazhdojnë punimet në komuna. Përndryshe do të kemi një situatë, kur do të kemi një suficit rekord të zi për qeverinë që nga themelimi i institucioneve qeverisëse në Kosovë. Kjo do të jetë qeveria e cila në historinë e vet do të jetë më e dobëta në raport me investimet kapitale”, tha Tahiri.
Krahas kësaj, Tahiri kërkoi që Kuvendi i Kosovës t’i dërgojë një letër Kuvendit të Çekisë, por edhe kryeparlamentarëve të tjerë të BE-së për mos liberalizimin e vizave për Kosovën.