Kuvendi i Kosovës po vazhdon të përballet me mungesë të kuorumit në vendimmarrje edhe në sesionin vjeshtor, pasi dy seancat e fundit plenare u shtyn në momentin kur s’kishte deputetë të mjaftueshëm për të miratuar projektligjet. Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje premtojnë disiplinë më të madhe të deputetëve të tyre në mbarëvajtjen e seancave plenare. Ndërsa, nga opozita, thonë se nuk ia bëjnë numrat pushtetit për miratimin e projektligjeve, për të cilat nevojitet edhe shumica e thjeshtë.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress, se Kuvendi i Kosovës ka nevojë për prezencë të vazhdueshme të deputetëve.
“Si pozitë gjithashtu kemi filluar 2-3 muajt e fundit në mënyrë të disiplinuar të përcjellim mbarëvajtjen e seancave dhe pjesëmarrjen e deputetëve tonë dhe gjithashtu të adresojmë problemet apo mungesat që krijohen dhe sjellin pastaj seancën në mungesë të kuorumit. Në gjithë këtë vlerësim, pozitivja është se kemi arritur të procedojmë projektligje, por ka nevojë për një proces më të shëndosh. Ka nevojë për prezencë, debat konstruktiv në Kuvend dhe gjithashtu edhe pjesëmarrje të vazhdueshme të deputetëve”, thotë ajo.
Mirëpo, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, fajëson mazhorancën për mungesën e kuorumit në Kuvend.
“Këta e kanë shumicën absolute dhe po thirren shpesh me arrogancën e numrave. Çdo herë që është marrë ndonjë nismë nga opozita nuk është përkrahë nga pozita, edhe pse nuk ka pas të bëjë me çështje politike. Pra asnjë nismë e opozitës nuk është përkrah, përkundrazi ne jemi opozitë që po i përkrahim plotë procese. Ju e dini se ne i kemi votuar gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, e cila s’ka ndodhur më parë. Këta e kanë shumicën absolute dhe duhet të adresohen tek deputetët e mazhorancës se pse nuk janë në sallë plenare...Nuk e kemi obligim t’ia bëjmë kuorumin një mazhorance absolute që e kanë në Kuvendin e Kosovës”, thekson Kadrijaj.
Sa i përket kritikave ndaj Kuvendin për keqmenaxhim në raportin për Kosovën nga Komisioni Evropian, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Kusari-Lila thotë se i marrin me seriozitet vlerësimet që janë bërë, mirëpo thotë se pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë për aspekte teknike.
“Ne e marrim me seriozitetin maksimal raportin për vendin dhe gjithashtu vlerësimet që janë bërë, si prej menaxhimit të punës të seancave, kuvendit dhe planit vjetor të Kuvendit. Natyrisht elementet teknike bëjnë pjesë më tepër për administratën dhe zyrën e kryetarit. Votimin elektronik që është përmendur aty, mbajtja e evidencës për mënyrën si kanë votuar deputetët individualisht... Konsensusi politik ndërmjet pozitës dhe opozitës nuk ka rreziku mbarëvajtjen apo nuk ka pasur probleme përmbajtjesore në raport me interesin e përgjithshëm të vendit. Nënkuptohet se Kuvendi mbetet vendi ku ballafaqohen mendimet politike, të forcave politike. Pozitë dhe opozitë debatin e zhvillojnë në komunikim të drejtpërdrejtë, shpesh edhe me tensione dhe polarizime që janë edhe të nënkuptueshme”, theksojë Kusari-Lila.
Në raportin për Kosovën që u publikua javën e kaluar, thuhet se puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur një kuorum vendimmarrës, ndonëse Qeveria e Kosovës ka një shumicë të fortë.
Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj jave dështoi t’i miratojë Projektligjin për punët publike dhe Projektligjin që përcakton çmimet tavan për produktet esenciale.
Ndërkohë, gjatë sesionit vjeshtor, Kuvendi ka miratuar disa marrëveshje ndërkombëtare.