?Mungesa e kuorumit në Kuvend është rikthyer sërish në normalitet. Dështimi i miratimit të projektligjeve dhe ndërprerja e seancave plenare në mungesë të deputetëve po i faturohen më shumë partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, kjo e fundit premton përshpejtim të miratimit të agjendës legjislative.
Në sesionin pranveror janë miratuar vetëm 37 ligje ndërsa 69 të tjera janë në procedurë, duke bërë që progresi i përmbushjes së agjendës legjislative të jetë 34%. Nga këto ligje të miratuara, dhjetë prej tyre i përkasin sektorit të drejtësisë, pesë shëndetësisë, nga katër ndahen në sektorët tregti, financa dhe siguri, dy janë nga ekonomia ndërsa 8 kategorizohen tek të tjerat. Të gjitha ligjet e miratuara kanë qenë të sponsorizuara nga Qeveria.Prej këtyre 24 seancave, 15 kanë qenë plenare, shtatë prej tyre kanë qenë të jashtëzakonshme si: Shënimi i 7 Marsit - Ditës së Mësuesit, Debati parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri për 8 mars, pastaj debat parlamentari lidhur me rritjen e çmimeve, debati parlamentar lidhur me vendimin e ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, debati parlamentar për gjendjen e pandemisë COVID-19, debati parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij sesioni pranveror, deputetët janë mbledhur edhe në dy seanca solemne: Për nder të 14-vjetorit të Republikës dhe për të shënuar 23-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë për KosovaPress se mazhoranca nuk është në gjendje të miratojë iniciativa ligjore që nevojitet edhe shumica e thjeshtë e deputetëve.
Sipas tij, në këtë fazë, s’ka bashkëpunim mes kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca me partitë opozitare dhe as grupeve parlamentare ndërmjet veti.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rrexhepi, përgjegjësinë për dështimin e seancave plenare ia adreson më shumë Lëvizjes Vetëvendosje.
“Përgjegjësia shumë më e madhe krahasuar me neve i takon mazhorancës dhe Qeverisë Kurti II. Pasi ata i kanë 58 deputetë, i kanë minoritet dhe kanë vota të mjaftueshme të kalojnë shumë projektligje në Kuvendin e Kosovës. Unë mund të them se është Kuvendi më pak efikasdhe nuk ka funksionuar. Mundem t’i numëroj në gishta se sa projektligje kanë ardhur dhe janë votuar në Kuvendin e Kosovës”, thekson ajo.
Ajo arsyetohet edhe për mungesën e deputetëve të mazhorancës në seanca plenare, duke thënë se disa prej tyre kanë pasur udhëtime zyrtare jashtë vendit.
“Ne po mundohemi maksimalisht dhe unë po shpresoj që shumë shpejtë duke filluar prej javës së ardhshme do të hyjmë në trendin e një dinamike të përshpejtuar. Kemi nevojë shumë të zëmë hapin në veçanti për të mbyllur sesionin pranveror deri në javën e dytë të gushtit, kur Kuvendi është i hapur, prandaj edhe për brenda grupit parlamentar dhe në bashkëpunim me grupet e tjera parlamentare do të mundohemi të mos jemi preh e kushtëzimeve nga opozita ose mungesave nga pozita për përgjegjësitë tona si deputet”, deklaron ajo.