Kuvendi Komunal në veri të Mitrovicës kërkon hapjen e urës mbi Ibër
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Këshilltarët komunal në veri të Mitrovicës e kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër. Kjo është bërë me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli. Kjo e fundit thotë për KosovaPress, se kërkesa ka qenë edhe e qytetarëve serbë.
Ajo thekson se pamundësia për të qarkulluar me vetura në këtë pjesë, u ka cenuar lirinë e lëvizjes dhe është shkaktuar kaos i madh.
“Kjo është një kërkesë e kamotshme e qytetarëve në veriun e Mitrovicës që jetojnë, po ashtu edhe të jugut. Rrjedhimisht është e drejtë e secilit person për të lëvizur lirshëm në qytetin e vet. Rrjedhimisht ura mbi lumin Ibër, e cila është e lirshme vetëm për këmbësorë po na e cenon edhe shumë lirinë e lëvizjes me vetura", thotë ajo.
Ajo shton se situata atje aktualisht është e qetë ndërsa komenton edhe deklaratën e Listës Serbe, të cilët kanë thënë se ky vendim do të ketë pasoja të mëdha për paqen dhe sigurinë.
Lidhur me këtë vendim të autoriteteve lokale ende nuk ka ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës.