Kryesia e Kuvendit ka caktuar dy seanca për këtë javë njëra prej të cilave është me pikat e papërfunduara nga viti i kaluar. Të mërkurën, deputetët do të trajtojnë pikat e mbetura nga seanca e 23 dhjetorit ku ndër të tjera janë katër marrëveshje ndërkombëtare të cilat kanë mbetur pa miratuar për shkak të kuorumit. Ndërsa të enjten Kuvendi do të mblidhet në seancë të rregullt dhe ndër te tjera do të shqyrtohen tri marrëveshjet ndërkombëtare që dalin nga procesi i Berlinit.
Në seancën e së mërkurës është bartur edhe debati parlamentar që lihet me raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2022, pikë kjo që kishte qenë në agjendën e 23 dhjetorit.
“Ne e kemi marrë përsipër përgjegjësinë, natyrisht edhe vetëkritikën në mënyrën sesi kemi qëndruar apo nuk kemi qëndruar në seanca për t’u përmbyllë ato si duhet, në situata të caktuara kanë qenë tensionimet politike në mes të pozitës dhe opozitës në situata të caktuara ka qenë vet mospjesëmarrja edhe e deputetëve të pozitës. Megjithatë ajo çka po bëjmë është që po merremi intensivisht me trajtimin e pikave të pa-përmbyllura, aktualisht jemi duke mbajtur seanca plenare siç po e shihni, përveç javës së kaluar, me dy të javës mërkure dhe enjte, unë po shpresoj që edhe dy javë të tjera dhe do të arrijmë të paktën të përafrojmë apo finalizojmë pikat e pa-përmbyllura nga sesioni i kaluar, pastaj do të vazhdojmë me dinamikën me të cilën ashtu siç procedohen projektligjet ashtu i prezantohen seancës plenare”, ka thënë ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Lidhur me këtë ka drejtuar kritika shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, sipas së cilit kjo legjislaturë po karakterizohet nga një kaos.
Ai ka bërë të ditur se në seancën e së enjtes ndër të tjera do të trajtohet edhe raporti i komisionit hetimor parlamentar të menaxhimit të krizës energjetike.
Tahiri ka deklaruar se grupi parlamentar i PDK-së është duke përgatitur një kallëzim penal mbi të gjeturat e këtij raporti.
“Agjenda legjislative është letërnjoftimi i një qeverie, i një shumice parlamentare, ligjet që kanë qenë ligjet kryesore që e prekin qytetarin nuk kanë ardhur dhe ende ne nuk e dimë cila është agjenda legjislative e këtij viti, sepse nuk ka ardhur prej qeverisë. Ne e dimë veç që pesë ligjet e qeverisë në shëndetësi nuk kanë kaluar, ne e dimë që ligji i pagave dhe ligje të tjera që e rregullojnë sektorin publik, në fakt e kanë deformuar sektorin publik dhe e dimë që për sektorin privat nuk ka asgjë”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se AAK ka kërkuar debat parlamentar për punën e qeverisë në këto dy vjet.